Menu

Meksika i hap dyert Iranit për Kampionatin Botëror 2026

Meksika i hap dyert Iranit për Kampionatin Botëror 2026

Kombëtarja e Iranit do ta ketë bazën e saj në Meksikë gjatë Kupës së Botës 2026, pas marrëveshjes së arritur mes autoriteteve sportive të dy vendeve. Vendimi vjen në prag të turneut që do të organizohet nga Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja.

Sipas raportimeve, përfaqësuesit iranianë do të qëndrojnë dhe do të zhvillojnë përgatitjet në territorin meksikan, një zgjidhje që synon të shmangë vështirësitë logistike dhe procedurat e udhëtimit drejt SHBA-së. Autoritetet meksikane kanë konfirmuar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për akomodimin dhe stërvitjen e ekipit.

Federata iraniane e futbollit e ka vlerësuar pozitivisht këtë bashkëpunim, duke theksuar se skuadra do të ketë një ambient të përshtatshëm për përgatitjet para dhe gjatë ndeshjeve të Botërorit. Ndërkohë, FIFA ka miratuar planin organizativ që i mundëson Iranit të përdorë Meksikën si qendër operative gjatë kompeticionit.

Kupa e Botës 2026 do të jetë edicioni më i madh në histori, me pjesëmarrjen e 48 kombëtareve dhe ndeshje të zhvilluara në tre vende pritëse. Për Iranin, vendosja në Meksikë pritet të ofrojë stabilitet dhe lehtësi organizative gjatë aventurës së tij botërore.

Lajmet përkatëse